Ish-kryeegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj idesë së propozuar nga Edi Rama dhe Aleksandar Vučić për integrimin e Shqipërisë dhe Serbisë në tregun evropian pa përfshirë integrimin politik në Bashkimin Evropian.
Në reagimin e saj publik, Tahiri thekson se për Vučićin arsyet janë të qarta, duke përmendur kushtin e njohjes së Kosovës përmes Kapitullit 35 në procesin e integrimit evropian, si dhe raportet e Serbisë me Rusinë.
Sipas Tahirit, mbetet e paqartë pse Rama do të shmangte integrimin politik të Shqipërisë në BE, duke qenë se, sipas saj, Shqipëria aktualisht është më afër procesit të anëtarësimit krahasuar me Serbinë. Ajo vlerëson se një qasje e tillë mund të lidhet me shmangien e detyrimeve për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e pastër.
Tahiri shton se largimet e fundit të disa zyrtarëve nga qeveria shqiptare, sipas saj, kanë ardhur si rezultat i presionit nga BE-ja, duke paralajmëruar se procesi i reformave mund të thellohet më tej.




