Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka këshilluar shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të Lindjes së Mesme pas përshkallëzimit të situatës ushtarake në rajon.
Ministria rekomandon gjithashtu që qytetarët që ndodhen aktualisht në këtë rajon të tregojnë vigjilencë të lartë dhe të konsiderojnë mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato funksionojnë.
“Në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në zona më të gjera sesa vendet e prekura mund të ndodhë, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo informacion mbi fluturimet, qytetarët duhet të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse”, thuhet në njoftim.
Autoritetet shqiptare theksojnë se po monitorojnë situatën në kohë reale dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të ri.




