Kosova do të përfaqësohet me dy xhudiste në turneun ndërkombëtar të xhudos Grand Prix Upper Austria 2026, i cili do të mbahet nga 6 deri më 8 mars në Linz të Austrisë.
Në këtë garë pritet të marrin pjesë rreth 482 garues nga 59 shtete të ndryshme të botës. Ngjyrat e Kosovës do t’i mbrojnë Fatjona Kasapi në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Xhudistet kosovare do të garojnë nën drejtimin e trajneres Majlinda Kelmendi. Sipas programit të garave, Kasapi do të ndeshet të premten, ndërsa Fazliu do të garojë të shtunën.




