Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka proceduar në Kuvendin e Kosovës amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Ajo bëri të ditur se këto amendamente janë përgatitur më herët nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës dhe tani janë dërguar për shqyrtim dhe procedim në Kuvend.
Sipas saj, iniciativa vjen pas disa dështimeve ndër vite për zgjedhjen e presidentit në parlament, duke theksuar se ndryshimet synojnë t’ua japin qytetarëve të drejtën që ta zgjedhin drejtpërdrejt kreun e shtetit.
Osmani u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i mbështesin amendamentet kushtetuese kur ato të dalin në votim në Kuvend.
Ajo theksoi se me këto ndryshime synohet që vendimi për presidentin të kalojë drejtpërdrejt te qytetarët, duke shtuar se në fund duhet të jetë populli ai që vendos për këtë post.




