Më 6 mars 2026, rreth orës 21:20, Policia në veri është njoftuar nga Spitali Rajonal i Mitrovicës së Veriut për një person të pranuar me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Anri Dinan” dhe dyshohet të ketë pasuar një mosmarrëveshje verbale lidhur me qiradhënie. Tre persona, të cilët kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht kanë sulmuar fizikisht viktimën, ndërsa më pas njëri prej tyre e ka therur me thikë katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak.
Policia ka identifikuar vendndodhjen e automjetit të përdorur nga të dyshuarit dhe e ka sekuestruar. Pas veprimeve operative, është identifikuar edhe vendndodhja e njërit prej personave të dyshuar, i cili është arrestuar në banesën e familjarëve të tij në Mitrovicë.
Gjatë kontrollit në banesë janë sekuestruar një thikë, armë zjarri, municion dhe substanca narkotike, përfshirë:
një armë e gjatë AK-47 dhe fishekë të ndryshëm
një granatë dore M-75 dhe dy shok-bomba
bimë narkotike, mjete për përpunimin e tyre dhe cigare të dyshuara si marihuanë
para të gatshme dhe objekte me mbishkrime në cirilik
Njësitë e trajtimit të mjeteve eksplozive kanë tërhequr dhe neutralizuar mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.
Personi i arrestuar, B.I. (2000), është shoqëruar në stacionin policor dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit. Dy persona të tjerë dyshohet të jenë të përfshirë në ngjarje, por aktualisht janë në arrati.
Prokurori ka inicuar hetime për veprat penale: “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve”.




