Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se ka ndjekur procesin institucional pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, përfshirë edhe procedurën për përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas organizatës, pas certifikimit të rezultateve, Presidentja u kërkon subjekteve parlamentare të propozojnë anëtarët e KQZ-së, ndërsa më pas bëhet emërimi i tyre.
DnV thekson se përmbyllja e këtij procesi është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur vendi mund të përballet me zhvillime që çojnë në zgjedhje të reja dhe kur po afrohet afati ligjor i 11 marsit.
Organizata u bën thirrje Presidentes dhe partive parlamentare që të përshpejtojnë nominimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, në mënyrë që çdo proces i mundshëm zgjedhor të zhvillohet me institucione zgjedhore funksionale dhe me mandat të qartë ligjor.




