Kryetari i Istog, Ilir Ferati, së bashku me strukturat e degës dhe familjarë, kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të komunës dhe nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, në katërvjetorin e vdekjes së tij.
Me këtë rast u vlerësua kontributi i Rugovës në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke u kujtuar si një nga figurat e rëndësishme të LDK-së dhe si drejtues i përkushtuar i komunës së Istogut.
Sipas të pranishmëve, ai ishte një personalitet i dalluar që për vite me radhë dha kontribut në proceset e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.
Haki Rugova u kujtua si një veprimtar i palodhur dhe si një njeri i urtë, bashkëpunues dhe i afërt me qytetarët, i cili për më shumë se tri dekada ishte i angazhuar në jetën politike dhe publike të vendit.
Të pranishmit theksuan se kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet i përhershëm.




