Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kërkimi për gjetjen e personit të zhdukur Alush (Vesel) Kastrati, i cili është parë për herë të fundit më 7 mars 2026 në fshatin Zatriq të Rahovecit.
Pas raportimit për zhdukjen e tij, strukturat përkatëse të policisë kanë ndërmarrë menjëherë veprime për lokalizimin e personit. Njësitë policore kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të gjerë kërkimi, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth.
Në këtë operacion janë angazhuar njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri si dhe njësia K9 me qen kërkues.
Gjithashtu në kërkim janë përfshirë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës përmes njësisë së kërkim-shpëtimit, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që po ofrojnë ndihmë në terren.
Mbështetje për këtë iniciativë ka dhënë edhe kryetari i Komuna e Rahovecit, duke kontribuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit për të ndihmuar në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet, ekipet profesionale dhe qytetarët që janë angazhuar në këtë operacion, duke theksuar se kërkimet po vazhdojnë edhe më tej.




