Një fotografi zyrtare e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është gjetur e vendosur në hapësirat e një bodrumi në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), duke nxitur reagime lidhur me respektimin e protokollit institucional.
Sipas raportimeve mediale, fotografia që sipas praktikës protokollare zakonisht qëndron në institucione deri në përfundimin e mandatit presidencial, është larguar nga ambientet zyrtare dhe është vendosur në një hapësirë ku gjendeshin edhe pajisje dhe dokumente të tjera të papërdorshme.
Në imazhin e publikuar shihet se fotografia ndodhet në një pjesë të bodrumit, pranë dokumenteve, pajisjeve elektronike dhe materialeve të tjera të depozituara.
Gjatë katër viteve të fundit, ministrinë e udhëhoqi Donika Gërvalla-Schwarz, ndërsa aktualisht drejtimin e këtij institucioni e mban Glauk Konjufca.
Pas largimit të Thaçit nga detyra dhe zgjedhjes së Vjosa Osmani në postin e presidentes së Kosovës, në institucionet shtetërore janë vendosur fotografitë zyrtare të saj, ndërsa ato të ish-presidentit janë larguar nga ambientet kryesore.
Çështja ka hapur diskutime rreth mënyrës së trajtimit të materialeve zyrtare dhe respektimit të protokolleve institucionale në institucionet shtetërore./GazetaNacionale/




