Në seancën gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dëshmitari Emin Mava deklaroi se në procedurën e prokurimit për rregullimin e kaldajës A5 nuk ka pasur kritere favorizuese dhe se, sipas tij, nuk është shkaktuar dëm financiar në aspektin e prokurimit.
Gjatë dëshmisë, Mava – duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës Virtyt Ibrahimaga – tha se në kohën për të cilën po bëhej fjalë kishte qenë menaxher i departamentit dhe nuk i kishte raportuar drejtpërdrejt kryeshefit ekzekutiv.
“Në atë kohë kam qenë menaxher i departamentit dhe nuk i kam raportuar drejtpërdrejt. Bashkëpunimi ka qenë korrekt në kuadër të punës së përditshme”, deklaroi ai.
I pyetur nëse kishte pasur presion lidhur me procedurën për rregullimin e kaldajës A5, dëshmitari u përgjigj shkurt: “Jo”.
Ai shtoi se kishte marrë pjesë vetëm në një takim ku ishte i pranishëm edhe Ymer Dragusha, ndërsa në takime të tjera nuk kishte qenë pjesë.
Në dëshminë e tij, Mava përmendi edhe një diskutim lidhur me mundësinë e vazhdimit të procedurës së prokurimit, pavarësisht rekomandimit të komisionit për anulim. Sipas tij, ishte diskutuar që procedura të vazhdonte për shkak të afateve kohore, ndërsa ishte kërkuar edhe një kërkesë me shkrim për të proceduar më tej.
Gjatë seancës, pyetje i parashtroi edhe vetë i akuzuari Krasniqi, i cili kërkoi të dijë nëse blloku energjetik do të mund të ristartohej deri në muajin prill në rast se do të hapej një procedurë e re prokurimi. Dëshmitari u përgjigj se një procedurë e re nuk do të mund të përfundonte brenda afateve të nevojshme.
Pyetje për dëshmitarin pati edhe nga anëtari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, i cili kërkoi sqarime nëse në tender kishte pasur kritere që favorizonin ndonjë operator ekonomik.
“Nuk ka pasur kritere favorizuese”, deklaroi Mava.
Ai shtoi se në aspektin e prokurimit nuk është shkaktuar dëm financiar, pasi nuk është kryer asnjë pagesë dhe as nuk është zgjatur afati i punës së bllokut për shkak të këtij operatori.




