Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se një person me inicialet A.I. është dënuar me një vit burgim me kusht për kërcënim ndaj gazetarëve dhe monitoruesve të mediave. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Sipas vendimit, dënimi nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda dy viteve nuk kryen një vepër tjetër penale. Rasti kishte ndodhur më 30 janar gjatë një seance për çështje pronësore në Viti, kur i dyshuari kishte bërë një gjest kërcënues ndaj gazetares Eriola Cacaj, kameramanit Drilon Namani dhe monitoruesit të Betimi për Drejtësi, Flamur Kabashi.
AGK e ka mirëpritur vendimin e gjykatës, duke vlerësuar trajtimin e shpejtë të rastit dhe duke shprehur shpresën që praktika e prioritizimit të rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve të vazhdojë edhe në të ardhmen.




