Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar takime me drejtues të Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës për të diskutuar çështje konkrete që lidhen me lehtësimin e të bërit biznes dhe përmirësimin e shërbimeve për ndërmarrjet dhe qytetarët.
Sipas ministres, me Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore, Mentor Hyseni, u bisedua për unifikimin dhe azhurnimin e të dhënave të bizneseve në bashkëpunim me ARBK-në, si dhe për uljen e burokracisë dhe avancimin e sistemit informativ të ARBK-së.
Ndërsa me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës, Agron Llugaliu, diskutuan mundësitë e krijimit të lehtësirave shtesë për bizneset, eliminimin e disa tarifave dhe reduktimin e burokracisë në vendkalimet kufitare me vendet e rajonit. Po ashtu, u fol për bashkëpunimin institucional në kontrollin e cilësisë së derivateve në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
“Mbështetja e ndërmarrjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për biznesin janë hapa të domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për më shumë mundësi për qytetarët tanë”, tha Kusari-Lila, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të shërbimeve të përmirësuara për një ekonomi më funksionale dhe konkurruese.




