Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, është ftuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump, për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të nismës “Fostering the Future Together” (FFT), që do të mbahet më 24 dhe 25 mars në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit.
Kosova, përmes iniciativës së Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, është një nga shtetet e para që iu bashkua këtij koalicioni, duke shfaqur përkushtimin për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në epokën digjitale. Pjesëmarrja e Kosovës krijon mundësi për nxënësit dhe fëmijët për të përfituar nga projektet dhe inovacionet e kompanive më të njohura amerikane të teknologjisë, përfshirë inteligjencën artificiale dhe platformat digjitale, duke vendosur fokusin në zhvillimin dhe sigurinë online të tyre.




