Sot ka filluar në Kosovë kampi i FIBA-s për gjyqtaret e basketbollit, i organizuar për herë të parë në vend.
Iniciativa është e Jeta Zeka, gjyqtares së parë femër nga Kosova në FIBA.
Federata e Basketbollit e Kosovës mbështet aktivitetin, i cili zhvillohet në kuadër të Planit Strategjik 2026-2030, me fokus rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në basketboll.
Në kamp marrin pjesë gjyqtare nga Kosova, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, Austria dhe Hungaria, ndërsa instruktor është Sinisa Herceg, instruktor i FIBA-s për gjyqtarë.
Përveç pjesës teorike, gjyqtaret do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Final 4 të Ligës Unike të Femrave në Prizren, ku më 17 mars zhvillohen gjysmëfinalet dhe më 18 mars finalja dhe ndeshja për vendin e tretë.




