Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një fitore për Kushtetutën, Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Për muaj me radhë, si Parti Demokratike e Kosovës, kemi paralajmëruar me zë të lartë se Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng Kuvendin për interesa të ngushta pushteti. Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën’, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, për gjashtë muaj me radhë, qytetarëve u është mohuar përfaqësimi dhe vendit i është imponuar stagnimi politik dhe institucional. Ai theksoi se PDK ka zgjedhur rrugën e ligjshmërisë dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta zgjidhur këtë krizë.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Ky është një mësim për të gjithë: askush nuk është mbi Kushtetutën,” shtoi ai.





