Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë autorizim shtesë për Policinë e Kosovës, për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin e keqtrajtimit të një fëmije 5-vjeçar në komunën e Lipjanit.
Qëllimi i këtij autorizimi është të identifikojë përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan apo të zyrtarëve të tjerë kompetentë që mund të kenë kontribuar drejtpërdrejt ose indirekt në shkaktimin e pasojave të këtij rasti.
Prokurori i shtetit thekson se ndjek me përkushtim çdo kryerës të veprave penale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së fëmijëve, si një kategori e ndjeshme e shoqërisë.




