Avokati Tomë Gashi ka komentuar vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për komunitetin serb, duke theksuar se ato lidhen me presionin e Bashkimit Evropian ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Sipas Gashit, këto vendime nuk janë ligj të ri, por zbatim i ligjit ekzistues dhe i obligimeve që Kosova ka marrë më parë. Ai ka shtuar se qytetarët e huaj duhet të kenë mundësi qëndrimi sipas standardeve evropiane, duke respektuar afatet ligjore për regjistrim dhe qëndrim.
“Masat përfshijnë edhe mundësinë e pajisjes me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj për kategori të caktuara, si studentë apo persona të angazhuar në arsim dhe shëndetësi”, ka shtuar Gashi.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe për automjetet.




