Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar platformën qeveritare “SuperPuna”, duke vënë në dyshim efektin e saj në rritjen e punësimit në vend.
Sipas saj, të dhënat nga ATK dhe Trusti nuk tregojnë ndonjë rritje të konsiderueshme të punësimit pas lansimit të kësaj platforme. Ajo ka theksuar se pretendimet për rritje të punësimit janë të pabazuara dhe lehtësisht të demantueshme me fakte.
Ymeri gjithashtu ka deklaruar se ulja e papunësisë lidhet më shumë me migrimin e qytetarëve sesa me krijimin e vendeve të reja të punës brenda Kosovës, duke përmendur largimin e mbi 11 mijë personave për punë jashtë vendit brenda një viti.
Ajo i ka bërë thirrje qeverisë për transparencë dhe ka kërkuar argumentim me fakte për ndikimin e “SuperPunës” në zhvillimin ekonomik. Ymeri ka kritikuar edhe drejtimin aktual të vendit, duke thënë se Kosova nuk po zhvillohet, por po zvogëlohet.




