Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur se kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese është i paligjshëm.
Me këtë aktgjykim, Supremja shfuqizoi paragrafën 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015, i cili kërkonte që kualifikimet arsimore të jenë fituar para 1 janarit 1991. Gjykata theksoi se ky kufizim është arbitrar, joproporcional dhe cenon parimin e barazisë para ligjit, pasi përjashton pensionistë që kanë përmbushur kushtet ligjore vetëm për shkak të kohës së fitimit të diplomës.
Supremja vlerësoi se e drejta për pension duhet të lidhet vetëm me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, dhe jo me kohën e arsimimit.




