Dhuna në familje mbetet një fenomen shqetësues në Kosovë, ku rreth 75% e viktimave janë gra, ndërsa sfidë kryesore vazhdon të jetë zbatimi i ligjeve në praktikë, u tha gjatë një tryeze të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Sipas raportit të vitit 2025, Policia e Kosovës ka pranuar 2,815 raste të dhunës në familje, me Prishtinën që prin për nga numri i rasteve, ndërsa Mitrovica e Veriut prin për nga incidenca për 10,000 banorë. Numri i përgjithshëm i viktimave ishte 2,836, prej të cilave 75.35% gra dhe 24.65% burra. Nga 2,998 personat e dyshuar, 84% ishin burra.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, theksoi se pavarësisht përmirësimeve në trajtimin institucional, ende ekzistojnë probleme strukturore që kërkojnë vëmendje të shtuar nga sistemi gjyqësor, prokuroria dhe policia.
Menaxheri i projektit, Liridon Salihi, vuri në dukje se sfidë mbetet politika ndëshkimore dhe numri i lartë i seancave të shtyra, ndërsa Prokuroria ka konfirmuar se 87% e akteve akuzuese përfundojnë me aktgjykime dënuese, megjithëse vetëm 14% e të akuzuarve marrin dënimin kumulativ të parashikuar nga Kodi Penal.
Përfaqësuesja e Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Lumnije Azemi, e vlerësoi raportin si një bazë të rëndësishme të të dhënave, duke theksuar si shqetësuese numrin e lartë të rasteve në veri, por edhe progresin në përshpejtimin e trajtimit të tyre.




