Instituti GAP ka publikuar analizën e tij mbi ndikimin e rritjes së pagave në punën e kuvendeve komunale.
Sipas studimit, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, i zbatuar nga viti 2023, ka përmirësuar ndjeshëm kompensimin e asambleistëve, duke e çuar pagën bazë deri në 660 euro në kryeqytet dhe 583-620 euro në komunat e tjera.
Megjithatë, analiza tregon se kjo rritje financiare nuk është shoqëruar me përmirësim të dinamikës së punës. Numri dhe koha e mbledhjeve, si dhe produktiviteti normativ, kanë shënuar rënie në disa tregues gjatë viteve 2023-2024 krahasuar me vitin 2022.
Instituti thekson se, edhe pse pagat janë faktor motivues, rezultatet tregojnë se vetëm kompensimi nuk garanton rritje të angazhimit dhe performancës së kuvendeve komunale.




