Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime me liderët e opozitës për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ai bëri të ditur se do t’i ftojë partitë opozitare për diskutime, por nuk dha detaje lidhur me kohën e mbajtjes së këtyre takimeve.
Aktualisht, partitë kryesore politike në vend nuk kanë shënuar përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashmë ka filluar të rrjedhë.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha deputetëve 34 ditë kohë për zgjedhjen e kreut të shtetit. Nëse kjo nuk ndodh, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa Kuvendi ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e pasuesit të saj./Sinjali/




