Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në Kuvend rreth rëndësisë së transparencës dhe përgjegjësisë së mediave, duke iu referuar raportimeve për financime të dyshimta që mund të ndikojnë në perceptimin publik.
“Sot raportimet për financime të fshehta nuk janë vetëm një çështje etike, por një kërcënim për integritetin e debatit publik. Kur para hyn në mënyrë të padukshme, ajo nuk blen vetëm hapësirë mediatike, por orienton narrativën dhe mund të deformojë perceptimin e qytetarit. Një qytetar i dezinformuar nuk është i lirë, ai është i manipuluar,” tha Kurti.
Ai nënvizoi se qeveria nuk synon të kufizojë mediat, por kërkon që ato të jenë të forta, kritike dhe transparente në pronësi dhe financim:
“Liria editoriale duhet të jetë e garantuar dhe shoqëruar me transparencë të plotë. Ligji për këshillin e pavarur të mediave që do të prezantojmë nuk ka për qëllim kontrollin, por mbrojtjen e mediave nga kapja dhe ndikimet e fshehta,” shtoi ai.
Kurti theksoi se transparenca dhe përgjegjësia janë kyçe për një demokraci të shëndoshë dhe një debat publik të lirë.




