Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se pesë projektligje kyçe në kuadër të reformës në drejtësi janë hapur për konsultim publik, duke ftuar profesionistët dhe qytetarët të kontribuojnë me komentet e tyre.
Sipas njoftimit, profesionistët e fushës së drejtësisë, studiuesit, gjyqtarët, prokurorët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë propozimet e tyre me shkrim brenda 15 ditëve pune.
Projektligjet përfshijnë ndryshime të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, si: rekrutimi, vlerësimi i performancës dhe kontrolli i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përgjegjësia disiplinore e tyre, si dhe ndryshime në ligjet për Akademinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Ministrja Gërvalla theksoi se këto nisma synojnë rritjen e llogaridhënies, përmirësimin e vlerësimit dhe kontrollit të punës së profesionistëve të drejtësisë, si dhe forcimin e institucioneve kyçe të këtij sistemi.
“Shteti ligjor, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, ndërtohet, forcohet dhe mbrohet nga të gjithë ne së bashku”, deklaroi ajo.
Të gjitha komentet dhe propozimet e pranuara brenda afatit do të shqyrtohen nga grupi punues për përgatitjen përfundimtare të projektligjeve.




