Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka deklaruar se personat që merren me fajde nuk janë të paprekshëm dhe se veprat penale të tyre do të trajtohen me prioritet.
Ai tha se rastet e fajdesë janë komplekse dhe shpesh pasohen nga kanosje, dhunë dhe rrezik për jetën e viktimave dhe familjeve të tyre. Në vitin 2025 janë trajtuar 42 persona për fajde, ndërsa trendi vazhdon edhe gjatë vitit 2026.
Kryeprokurori në një intervistë në “Tempus”,theksoi se proceset nuk fokusohen vetëm në arrestim dhe gjykim, por edhe në hetim financiar të pasurisë së të përfshirëve. Ai përmendi një rast konkret ku janë sekuestruar 21 banesa dhe tre lokale afariste me vlera milionëshe, duke treguar se ligji synon të dobësojë strukturat e fajdesë dhe të vendosë drejtësinë.
Kryeprokurori siguroi gjithashtu se viktimave të fajdesë u është ofruar mbrojtje dhe siguri për të raportuar këto raste, duke theksuar se ligji dhe vullneti për ta zbatuar janë mbi çdo individ apo grup.




