Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 18-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si bazën e shtetësisë dhe rendit demokratik në vend.
“Sot shënojmë 18 vite nga miratimi i Kushtetutës, dokumenti themelor që vulosi shtetësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik të vendit tonë”, thekson Abdixhiku.
Ai nënvizon se Kushtetuta është akti më i lartë juridik dhe udhërrëfyes në procesin e shtetndërtimit: “Kushtetuta nuk është vetëm akt juridik, por edhe udhërrëfyesi ynë në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Abdixhiku e sheh Kushtetutën edhe si zotim kolektiv për të ardhmen: “Është angazhimi ynë për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”.
Në këtë përvjetor, ai kujton edhe sakrificën dhe përpjekjet e qytetarëve në krijimin e institucioneve të vendit: “Kujtojmë me mirënjohje të thellë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë këtij dokumenti historik”.
Në fund, Abdixhiku bën thirrje për angazhim të vazhdueshëm për zhvillimin e vendit: “Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për të vazhduar punën për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe euroatlantike. Urime Dita e Kushtetutës!”




