Stafi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tetovë, me fokus mbledhjen dhe skanimin e materialeve arkivore që dokumentojnë krimet dhe dëbimin e popullsisë shqiptare gjatë viteve 1998–1999.
Vizita nisi në Bibliotekën e Tetovës, ku u siguruan materiale me rëndësi për hulumtime historike. Gjatë qëndrimit, instituti pranoi edhe dokumente të tjera të vlefshme nga profesorë, studiues dhe aktivistë lokalë.
U zhvilluan takime me persona që kanë kontribuar gjatë luftës dhe në dokumentimin e saj, përfshirë mjekë, mësues, aktivistë dhe fotografë, të cilët ndanë dëshmi dhe materiale arkivore.
IKKL thekson se këto aktivitete janë pjesë e punës së vazhdueshme për dokumentimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike për ngjarjet e luftës në Kosovë.




