Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në fshatin Soçanicë të Leposaviqit, ndërsa i dyshuari është shtetas kosovar i nacionalitetit serb.
Autoritetet bëjnë të ditur se ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë dhe i angazhuar në Stacionin Policor të Skenderajt, ka marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak në mars të vitit 1999.
Sipas hetimeve, gjatë këtij operacioni, në bashkëkryerje me persona të tjerë, dyshohet se ka marrë pjesë në dëbimin me forcë të civilëve nga pronat e tyre, si dhe në rrahje, torturë dhe plagosje të tyre.
Po ashtu, ai dyshohet për përfshirje në vrasjen e 15 civilëve shqiptarë dhe zhdukjen e 16 të tjerëve në dy lokacione në Skenderaj.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.




