Avokati Arbër Jashari ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se mungesa e nxitimit për zgjidhje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në një prononcim televiziv, Jashari tha se Kurti ka vepruar me ngadalësi edhe në procese të mëhershme dhe se aktualisht nuk po shihet një përpjekje serioze për të arritur konsensus politik për presidentin.
Sipas tij, partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të gjejnë një marrëveshje, duke theksuar se vendi nuk duhet të hyjë në krizë të re institucionale. Ai shtoi se përgjegjësia më e madhe bie mbi subjektin me më shumë vota në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje.
Jashari theksoi se zgjedhja e presidentit nuk duhet të trajtohet si proces i komplikuar politik, por si domosdoshmëri për funksionimin institucional të vendit.
Ndërkohë, deri në afatin kushtetues kanë mbetur edhe 13 ditë, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur pajtueshmëri. Opozita e akuzon qeverinë për mungesë vullneti, ndërsa nga ekzekutivi kërkohet arritja e një zgjidhjeje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.




