Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra do të përballet sot me Bullgarinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
“Dardanet” vijnë në këtë ndeshje pas fitores 3:1 në Sofje dhe aktualisht kryesojnë grupin me 9 pikë nga tri takime, duke lënë pas Kroacinë me 6 pikë, Bullgarinë me 3 pikë dhe Gjibraltarin pa pikë.
Ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj synon një tjetër fitore për të forcuar pozitën e parë dhe për t’iu afruar objektivit të kualifikimit.
Futbollistet kanë vlerësuar përgatitjet dhe analizën e ndeshjes së parë, duke theksuar përmirësimet në lojë dhe besimin për rezultat pozitiv edhe në Prishtinë.
Një fitore eventuale do ta afronte Kosovën më shumë drejt vendit të parë në grup dhe do të forconte gjasat për avancim në fazat e ardhshme të garës.




