Në Paris është mbajtur një konferencë ndërkombëtare ku është kërkuar hapja e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e Ngushticës së Hormuzit, si dhe garantimi i lëvizjes së lirë detare.
Takimi, i organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, mblodhi rreth 50 përfaqësues shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare. Në deklarimet e përbashkëta u theksua nevoja për respektimin e së drejtës ndërkombëtare detare dhe rikthimin e qarkullimit normal në këtë rrugë strategjike.
Liderët evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe zyrtarë të tjerë të lartë, shprehën unitet në qasjen ndaj situatës dhe mbështetën idenë e krijimit të një misioni shumëkombësh për sigurinë në zonë.
Ky mision pritet të ketë karakter mbrojtës dhe synon të sigurojë lundrimin tregtar dhe stabilitetin në rajon. Disa shtete kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar, ndërsa pjesëmarrja e tyre do të varet nga zhvillimet në terren dhe krijimi i një mandati ndërkombëtar.
Në konferencë nuk morën pjesë palët e përfshira drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa diskutimet u fokusuan në shmangien e përshkallëzimit dhe ruajtjen e sigurisë në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.//Sinjali//




