Në gjykimin për rastin e sulmit në Banjskë të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i akuzuari Vladimir Toliq ka dhënë fjalën e tij përfundimtare para gjykatës.
Ai deklaroi se kishte qenë i pranishëm në Banjskë ditën e ngjarjes, por mohoi të ketë pasur dijeni për atë që do të ndodhte, duke thënë se ishte nisur pa e ditur destinacionin dhe u befasua kur arriti në vendin e ngjarjes.
Toliq shtoi se nuk kishte qëllim të merrte pjesë në ndonjë akt dhune dhe theksoi se nuk është përgjegjës për ngjarjen, duke kërkuar nga gjykata që vendimi të bazohet në prova dhe jo në supozime.
Edhe mbrojtja e tij argumentoi se nuk ka prova konkrete që e lidhin të akuzuarin me veprat penale për të cilat ngarkohet, duke theksuar se në procedurë penale vendimet duhet të mbështeten në fakte.
Në këtë rast, disa persona përballen me akuza të rënda që lidhen me sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor dhe pati të plagosur./EO/




