Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme plenare, me një pikë të vetme në rendin e ditës: çmimi dhe faturimi i energjisë elektrike për konsumatorët.
Seanca është caktuar të nisë në orën 11:00 dhe pritet të trajtojë çështje me rëndësi për qytetarët lidhur me sektorin energjetik.
Gjatë ditës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahen tri seanca të Kuvendit të Kosovës. Ajo tha pas mbledhjes së Kryesisë se fillimisht seanca e parë ishte paraparë për të enjten në orën 10:00, ndërsa dy të tjera për të premten, përfshirë edhe një seancë solemne në nderim të kongresistit Eliot Engel, i cili ka ndërruar jetë më 10 prill.
Megjithatë, sipas njoftimit më të fundit, seanca e jashtëzakonshme për energjinë elektrike do të jetë e para që do të mbahet.




