Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Shtetësinë në Kuvend, duke e cilësuar atë të dëmshëm për sigurinë e Kosovës.
Ajo tha se ligji është miratuar nga Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me Listën Serbe dhe pa respektuar procedurat e duhura parlamentare.
Sipas Musliut, mënyra e miratimit të ligjeve pa dëgjime publike dhe pa ekspertizë po i shkakton dëm të madh vendit, ndërsa shtoi se mangësitë po tentohen të rregullohen përmes akteve nënligjore.
Ajo u ndal edhe te çështja e presidentit, duke deklaruar se “të martën kjo qeveri, ky pushtet do ta ketë fundin”, duke paralajmëruar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.




