Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka mirëpritur njoftimin se Ligji për Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës pritet të procedohet javën e ardhshme fillimisht në Qeveri dhe më pas në Kuvend.
Në reagimin e tyre, OVL-UÇK thekson se prej muajsh kanë kërkuar trajtimin e kësaj çështjeje përmes shkresave zyrtare drejtuar institucioneve shtetërore dhe grupeve parlamentare, si dhe përmes deklarimeve publike. Sipas tyre, vonesat institucionale kanë qenë të papranueshme dhe kërkesa e tyre ka qenë e vazhdueshme.
Organizata paralajmëron se do ta ndjekë nga afër procesin deri në miratimin përfundimtar të ligjit në Kuvend, duke kërkuar që dokumenti final të reflektojë plotësisht kërkesat e tyre dhe të mbrojë, siç thonë, vlerat e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e pjesëmarrësve në të.
OVL-UÇK thekson se këto vlera nuk duhet të zbehen apo të përdoren për qëllime politike, duke i cilësuar ato si një detyrim institucional dhe historik ndaj atyre që kanë marrë pjesë në luftë.




