Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit ku pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit.
Hamza e ka cilësuar procesin aktual si joserioz dhe me qëllime manipulimi, duke paralajmëruar se situata e krijuar mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, përgjegjës për këtë zhvillim është Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se PDK ka qenë konstruktive gjatë gjithë procesit, duke marrë pjesë në takime dhe duke propozuar një kandidat konsensual për president. Megjithatë, sipas tij, këto përpjekje nuk janë marrë seriozisht dhe janë keqinterpretuar në publik.
Në fund, Hamza theksoi se PDK e konsideron këtë çështje të mbyllur dhe nuk do të marrë pjesë në votim, duke i uruar Kuvendit sukses në gjetjen e një zgjidhjeje me shumicë të deputetëve.




