Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar kontrata me 47 sportistë të rinj në kuadër të programit “Shpresa Olimpike 2026”, i cili synon mbështetjen financiare të talenteve gjatë gjithë vitit.
Sportistët e përzgjedhur përfaqësojnë 19 disiplina të ndryshme sportive, përfshirë edhe sportet ekipore. Secili prej tyre do të përfitojë nga 150 euro në muaj si mbështetje financiare.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, deklaroi se ky është numri më i madh i bursistëve të përfshirë ndonjëherë në këtë program, duke theksuar rëndësinë e rritjes së përkrahjes për sportistët e rinj.
Në total, programi “Shpresa Olimpike 2026” arrin vlerën prej 84,600 euro në vit. Përzgjedhja e sportistëve është bërë nga Komisioni i Sportit dhe është miratuar nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut.




