Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në vizitë zyrtare Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Giuseppe Cavo Dragone, dhe Kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjeneral Seán Clancy.
Në fillim të takimit, Gjeneral Jashari u ka uruar mirëseardhje delegacioneve, duke i informuar për zhvillimet aktuale brenda FSK-së, me theks të veçantë në angazhimin e saj në operacione ndërkombëtare. Ai ka theksuar gjithashtu arritjet e deritanishme të forcës dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit në aktivitetet e përbashkëta me NATO-n dhe BE-në.
Gjatë diskutimeve u vlerësua progresi dhe kontributi i FSK-së në këto aktivitete, si dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Po ashtu, u vlerësua edhe mbështetja e KFOR-it dhe NALT-it për zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Në përfundim të takimit, palët u zotuan për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit profesional në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta.




