Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike përbëjnë, sipas tij, një fitore të Kushtetutës dhe ligjit.
Në një reagim publik, Haradinaj ka thënë se është forcuar vetëdija institucionale dhe rezistenca e opinionit publik ndaj, siç e ka quajtur ai, përpjekjeve për cenimin e rendit kushtetues.
Ai ka theksuar se askush nuk duhet të rrezikojë ekzistencën e shtetit dhe se vendi po hyn në një etapë të re politike, ku vendimmarrja i kthehet qytetarëve.
Haradinaj ka deklaruar gjithashtu se Aleanca ka qenë bashkëpunuese gjatë krizës politike, duke akuzuar palët e tjera për keqmenaxhim të pushtetit dhe neglizhencë ndaj shtetit.
Në fund, ai ka theksuar përkushtimin e tij dhe të partisë për interesin e Kosovës.




