Ish-presidentja Vjosa Osmani, së bashku me Xhafer Tahiri, kanë bërë homazhe në Studime, Vushtrri, në përkujtim të viktimave të masakrës së vitit 1999.
Osmani deklaroi se ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe.
“Sikurse çdo vit, jemi pranë familjeve të Studimes, të cilët përkujtojnë më të dashurit e tyre në këtë ditë kur u vranë civilë të paarmatosur, nga foshnjat deri tek më të moshuarit, duke dëshmuar mungesën totale të mëshirës”, tha ajo.
Ajo theksoi se, edhe pas shumë vitesh, familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.
“Edhe sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për ata që u masakruan në mënyrë çnjerëzore. Familjet vazhdojnë përpjekjet e tyre që krimet të ndëshkohen”, u shpreh Osmani.
Sipas saj, krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk do të harrohen dhe përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë.
“Ne kurrë nuk do t’i harrojmë këto krime dhe nuk do të heqim dorë nga kërkesa për drejtësi”, theksoi ajo.




