Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur orientimet indikative për Programin e Pagesave Direkte për vitin 2026, të cilat janë nënshkruar nga ministri në detyrë Armend Muja. Skema është e ndërtuar sipas sektorëve kryesorë të bujqësisë dhe zinxhirëve të prodhimit agro-ushqimor, duke u përafruar me metodologjinë e Bashkimit Evropian.
Sipas ministrisë, programi i ri kombinon disa forma mbështetjeje, përfshirë pagesën bazë, subvencionet e lidhura me prodhimin, masat për stabilizimin e tregut, si dhe pagesat shtesë për hektarin e parë dhe eko-skemat. Qëllimi kryesor mbetet rritja e prodhimit vendor, forcimi i sigurisë ushqimore dhe zhvillimi i qëndrueshëm rural.
Në sektorin e drithërave, gruri mbështetet me 304 euro për hektar, ndërsa përmes masave shtesë dhe inputeve bujqësore, mbështetja mund të arrijë deri në rreth 433 euro për hektar. Skema të ngjashme vlejnë edhe për misrin, elbin, tërshërën dhe thekrën, me pagesa që variojnë nga 304 deri në 329 euro për hektar. Misri vazhdon të konsiderohet kulturë strategjike për sigurinë ushqimore dhe sektorin blegtoral.
Në kulturat proteike dhe industriale, mbështetja rritet ndjeshëm, ku luledielli subvencionohet deri në 454 euro për hektar, ndërsa fasulja dhe patatja mund të arrijnë deri në 754 euro për hektar, me synim uljen e varësisë nga importet.
Perimet në fushë të hapur mbështeten me 704 euro për hektar, ndërsa prodhimi në serra arrin deri në 1,054 euro për hektar. Në pemëtari, mbështetja shkon deri në 654 euro për hektar, ndërsa mjedra subvencionohet edhe për kilogram dhe sipërfaqe të kultivuar. Vreshtaria mbështetet me deri në 1,104 euro për hektar, përfshirë edhe masa shtesë për prodhimin e verës dhe fidanët.
Në blegtori, pagesat për kafshë përfshijnë 90 euro për lopë qumështore, 30 euro për viça, 60 euro për mëshqerra, 180 euro për buallica, si dhe mbështetje për dele dhe dhi. Shpezët dhe derrat po ashtu përfitojnë subvencione sipas kategorive të prodhimit.
Qumështi subvencionohet sipas cilësisë, nga 0.02 deri në 0.07 euro për litër, ndërsa bletaria mbështetet me 25 euro për koshere, apo 30 euro për prodhim organik. Edhe akuakultura përfshihet në skemë me mbështetje për kilogram prodhimi.
Ministria thekson se këto janë orientime paraprake që shërbejnë si bazë për hartimin final të programit të pagesave direkte për vitin 2026 dhe mund të pësojnë ndryshime gjatë konsultimeve me sektorin bujqësor.




