Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe shteteve dhe institucioneve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke i njoftuar për gjetjet e raportit “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Në letrën e përcjellë përmes kanaleve diplomatike, Qelaj ka adresuar shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave themelore dhe garancive për një gjykim të drejtë në kuadër të proceseve në Hagë.
Raporti, i realizuar me angazhimin e organizatës BHRC, ngre shqetësime për standardet e procesit gjyqësor, përfshirë të drejtën për gjykim të paanshëm, prezumimin e pafajësisë dhe barazinë e palëve.
Avokati i Popullit ka theksuar rëndësinë që Dhomat e Specializuara të vazhdojnë të respektojnë standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe transparencës, duke shtuar se kjo është thelbësore për besueshmërinë e vetë procesit.
Ai ka rikujtuar gjithashtu se Kosova ka bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare duke themeluar këto dhoma dhe ka shprehur gatishmëri për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.




