Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar dëshminë ekspertja e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Helen Fraser, në procesin gjyqësor ku Thaçi dhe të tjerë akuzohen për vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Fraser ka deklaruar se gjatë punës së saj ka përdorur Inteligjencën Artificiale për analizimin e audiove dhe transkripteve, por ka theksuar se vlerësimi i saj nuk është bazuar vetëm në këtë teknologji.
“Nuk mendoj që jam mbështetur tërësisht në ato. Vlerësimi im është bazuar në ekspertizën time dhe analizën e materialeve, ndërsa Inteligjenca Artificiale ka qenë vetëm një pjesë e procesit”, tha ajo.
Prokuroria ngriti çështjen e përdorimit të ChatGPT-së, duke sugjeruar se vlerësimet e saj mund të jenë ndikuar nga fakti që nuk flet gjuhën shqipe.
Fraser, megjithatë, theksoi se interpretimi i saj ka qenë më i thelluar sesa thjesht “përshtypje”, duke e cilësuar si një analizë profesionale audio-forenzike.
Ajo shtoi se vlerësimi i audiove ka qenë i kufizuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe dhe se në kushte ideale do të përfshihej edhe një folës i shqipes në analizë.
Ekspertja theksoi gjithashtu se përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka qenë ndihmës dhe se ajo do të mund ta kryente punën edhe pa transkriptimet e gjeneruara nga AI.




