Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë një kontrolli në Zyrën Doganore në Prizren.
Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje mes deklarimit dhe gjendjes faktike të mallit. Dërgesa ishte deklaruar si qirinj, ndërsa pas kontrollit fizik është vërtetuar se bëhej fjalë për fishekzjarre.
Autoritetet kanë bërë të ditur se për këtë lloj malli kërkohet edhe licencë për import të mjeteve plasëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore arrin në mbi 2 mijë e 500 euro.
Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e deklarimeve të pasakta dhe garantimin e zbatimit të ligjit.




