Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare me partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”, me vlerë rreth 8.78 milionë franga zvicerane.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Projekti do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031.
Qëllimi kryesor i programit është të mbështesë bizneset private në Kosovë në kalimin drejt praktikave më të qëndrueshme dhe teknologjive të pastra, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë dhe efikasitetit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Përmes këtij projekti pritet të nxitet përdorimi më i madh i burimeve të qëndrueshme, modernizimi i proceseve të prodhimit dhe krijimi i mundësive të reja ekonomike dhe vendeve të punës. Po ashtu, theksohet rëndësia e përfshirjes më të gjerë të grupeve të ndryshme në zhvillimin ekonomik.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi se tranzicioni i gjelbër mbetet prioritet strategjik i Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se investimet në inovacion dhe ekonomi të qëndrueshme janë kyçe për zhvillimin afatgjatë të vendit.




