Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës.
Sipas komunikatës, i dyshuari me inicialet S.M. është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në gjykatën kompetente.
Ndërkohë, hetimet për rastin po vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim të mbledhjes së provave dhe zbardhjes së plotë të ngjarjes.




