Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Hysri Selimin për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim.
Sipas aktgjykimit të shpallur, dënimi do të ekzekutohet pasi vendimi të marrë formë të prerë, ndërsa Selimi do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzonte Selimin se për një periudhë të gjatë kishte bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke siguruar dhe përcjellë informacione që konsideroheshin me interes për këtë institucion.
Sipas aktakuzës, në rast përfshihen edhe pretendime për udhëtimin e tij në Siri dhe kontaktet e mëvonshme me zyrtarë të BIA-s, për të cilat thuhej se kishte përfituar edhe mjete financiare.
Gjatë fazës fillestare të gjykimit, Selimi ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.




