Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) ka deklaruar se, kur kanë mbetur edhe disa dhjetëra kuti me vota nga diaspora për t’u numëruar, shpërndarja e mandateve mund të ndryshojë.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje pritet të arrijë në 53 mandate, që sipas trendeve aktuale mund të jetë edhe rezultati përfundimtar.
Cakolli thekson se ende mbetet e paqartë se cilës parti do t’i merret mandati i fundit, duke shtuar se gara mes PDK-së dhe LDK-së është shumë e ngushtë, me një diferencë që mund të përkthehet në më pak se 100 vota.
Ai shtoi se vendimtare mund të jenë edhe votat me kusht, të cilat mund të ndikojnë në ndarjen përfundimtare të mandateve, ndërsa AAK pritet të mbetet me 7 ulëse.




