Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Vitia, për ndikim të grupeve të caktuara farmaceutike dhe keqmenaxhim të sektorit publik shëndetësor.
Sipas Zemajt, korrupsioni dhe interesat e grupeve të caktuara kanë ushtruar ndikim të madh në vendimmarrjen e institucioneve shëndetësore, duke përfshirë edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale.
Ai tha se pacientët po përballen me mungesë të barnave si pasojë e menaxhimit të dobët, shpërdorimeve apo vjedhjeve të mundshme, ndërsa ngriti shqetësime edhe për cilësinë dhe origjinën e disa barnave që furnizojnë sistemin publik shëndetësor.
“Ekzistojnë shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa barnave që futen në sistemin publik shëndetësor. Këto çështje kërkojnë hetim të plotë dhe të pavarur nga institucionet përgjegjëse”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu praktikën e tenderëve njëburimorë dhe, sipas tij, çmimet e stërfryera në prokurimin publik gjatë periudhës kur mungon mbikëqyrja parlamentare.
Zemaj ka kërkuar hetim institucional dhe përgjegjësi për të gjitha dyshimet që lidhen me menaxhimin e sistemit shëndetësor dhe proceset e furnizimit me barna.




