Kancelari gjerman Friedrich Merz po përballet me dinamika të ndryshme në marrëdhëniet me disa nga liderët kryesorë botërorë, ku bashkëpunimi me disa prej tyre është forcuar, ndërsa me të tjerë ka shënuar ftohje.
Me presidentin francez Emmanuel Macron, marrëdhëniet janë përkeqësuar, sidomos pas dështimit të projektit të përbashkët të avionëve luftarakë FCAS, që pas vite negociatash u ndërpre pa marrëveshje. Kjo është parë si një goditje për bashkëpunimin franko-gjerman në fushën e mbrojtjes dhe një sinjal për vështirësitë në integrimin evropian.
Ndërkohë, raportet me kryeministren italiane Giorgia Meloni janë përmirësuar ndjeshëm. Edhe pse me dallime politike, të dy liderët kanë gjetur gjuhë të përbashkët për çështje ekonomike dhe të politikës së BE-së, duke u fokusuar në pragmatizëm dhe bashkëpunim më të ngushtë.
Me presidentin amerikan Donald Trump, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe të paparashikueshme, pavarësisht përpjekjeve të Merz për të ruajtur një bashkëpunim të qëndrueshëm. Kritikat e ndërsjella kanë ndikuar në ftohjen e raporteve mes Berlinit dhe Uashingtonit.
Ndërsa me kryeministrin britanik Keir Starmer, Merz ka ndërtuar një raport më të qëndrueshëm dhe bashkëpunues, veçanërisht në çështjet ndërkombëtare si mbështetja për Ukrainën dhe afrimi i mëtejshëm i Britanisë me Bashkimin Evropian.




